Sunday, June 23, 2013

Daçiq: Jemi pajtuar që zgjedhjet në Kosovë të mbahen më 3 nëntor

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi me Kryeministrin serb Ivica Daçiq ka biseduar në lidhje me datën e zgjedhjeve të Republikës së Kosovës. Këtë e ka pranuar Daçiq duke treguar se është pajtuar rreth një date për to.
Pas njoftimit të BE’së se Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic ka deklaruar se data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë orientimisht është 3 nëntori.
“Jemi pajtuar rreth disa çështjeve që grupet punuese nuk kanë mundur t’i dakordojnë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve lokale, kemi biseduar edhe për datën orientimisht kjo do të duhej të ishte më 3 nëntor. Në anën tjetër për ne është e rëndësishme që serbët në Kosovë e Metohi të mund të votojnë dhe të marrin pjesë në zgjedhje me dokumenta të Serbisë” ka thënë Daçiq.
Zgjedhjet lokale pritet të shpallen nga Presidentja Jahjaga e cila në takimin e fundit me shefin e BE’së në Kosovë Samuel Zbogar kishte thënë se është duke shqyrtuar mundësinë që zgjedhjet të mbahen brenda tetorit.
Ndërkaq, ato pritet të mbahen në të gjithë territorin e vendit, përfshirë veriun që do të votojë për herë të parë. Në presidencë thonë se ato do të shpallen brenda pak ditësh.
“Marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, parasheh mbajtjen e zgjedhjeve komunale në katër komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, me datë konkrete në fillim të muajit nëntor, duke mundësuar integrimin e plotë të qytetarëve të komunitetit serb në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës dhe shpërbërjen e strukturave paralele e ilegale serbe. Me Kushtetutë dhe me ligj parashihet mbajtja e zgjedhjeve komunale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, njëkohësisht”, ka thënë për Indeksonlinë Arbër Vllahiu zëdhënësi i Presidencës, Atifete Jahjaga.
Ai ka shtuar se Presidentja Jahjaga do t’i thërras, në konsultim të fundit liderët e partive politike për të vendosur për datën e zgjedhjeve, dhe do ta shpall atë brenda pak ditësh./Indeksonline./

No comments:

Post a Comment