Sunday, June 30, 2013

Daut Demaku: Mendimi pozitiv - parajsa e jetës tokësore


Daut Demaku Daut Demaku: Mendimi pozitiv - parajsa e jetës tokësore

Publicisti, shkrimtari ynë i njohur dhe themeluesi i Qendrës së Mendimit Pozitiv - dhe njeriu i përhapjes së kësaj fryme të re shkencore në Kosovë, Daut Demaku, mund të thuhet lirisht se ka bombarduar opinionin tonë me librat e tij filozofik dhe mendimin pozitiv.
Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Ai me romanin “Magjia e urtisë”, po rikthen tek njerëzit mendimin pozitiv, vetëbesimin, sinqeritetin, miqësinë, dashurinë, mirësinë dhe shumë virtyte të një njeriu normal.
Zoti Demaku, libri juaj “Magjia e urtisë” është bërë bestseller. Ku është sekreti?
Libri i mirë duhet t’i përmbushë dy kushte:
E para: t’i thotë lexuesit diçka përmbajtjesore dhe të mençur dhe,
E dyta: atë përmbajtje dhe porosi ta thotë në mënyrë të bukur, sepse është art.
Për mua këtu fillon dhe mbaron teoria e artit. T’i plotësosh këto dy kushte, lexuesi ta pranon librin. Të veprosh ndryshe do te jetë e kundërta e kësaj. Rrugë të tretë nuk njoh.
Por, është këtu edhe një racionalitet krijues, që e kam mësuar nga përvoja e shkrimtarëve botëror: Ernest Heminguej shkroi shumë libra të trashë, por Nobelin e mori me librin “Plaku dhe deti” - një roman apo novelë që ka më pak se 100 faqe. M. Shollohovi shkroi libër me 1500 faqe, por majat i arriti me librin “Fati i njeriut” që po ashtu, s’i ka as 100 faqe. Arti e njeh, të them, formulën e dendësimit të oqeanit në një pikë vese. Fundja kështu është jeta: fara bëhet lis, lisi bëhet farë!Romani “Magjia e urtisë” (ose titulli në anglisht: “Magjia e Mençurisë”) e kam ditur që do te jetë i lexuar, por nuk e kam ditur se do ta pranojnë të rinjtë shqiptarë me aq shumë dashamirësi. Ky është gëzimi im!
Arti dhe politika e kanë një veçanti të përbashkët: janë sikur livadhi i bujshëm në të cilin mund të kullosin të gjitha bagëtitë, ku mund të hynë edhe njerëzit, edhe kosarët..., por në atë livadh, me të gjitha lulet e botës, njerëzit e politikës dhe të artit, që dinë të bëjnë ilaç nga lulet e livadhit për shpirtin e popullit - ata janë më të mirët në botë.
Ky është gjakimi im, për të cilin më mban vullneti i fort dhe energjia e pa skajshme universale - që shpresoj do ta arrijë një ditë.
A ka aq shumë njerëz të dekurajuar, që e kërkojnë shpëtimin tek forca e ndërdijes?
Shumë. Dhe kjo është pjesa më e dhimbshme e jetës sonë. Nuk po e kuptojmë atë thënien emblematike të literaturës inspirative se: “Do të jetojmë mirë për veten tonë, në qoftë se jetojmë edhe për të tjerët!” Njeriu nuk është ishull i vetmuar. Jemi njerëz dhe duhet të bëjmë diçka edhe për të tjerët. Të jesh i vetmuar edhe në parajsë - parajsa e humb kuptimin.
A e gjejnë atë që kërkojnë, apo është kjo një blasfemi (besëtytni)?
Atyre që nuk iu mungon NJOHJA - e gjejnë. Të tjerët: jo! Blasfemi nuk është dhe nuk mund të jetë, sepse baza shkencore, fizika kuantike, ia siguron themelin e ardhmërisë.
Edhe unë, para njëzet vjetësh, kam pasë luhatje. Por kur jam bindë se e tërë dija e mënyrës së të menduarit pozitiv mbështet në ligjet e fizikës kuantike, atëherë kam thënë: as nuk ka dhe as nuk mund të ketë pengesë në rrugën time.
Dhe nuk u ndala!
Keni deklaruar se: Nuk ka asgjë më të keqe se sa të mos e përdoresh dijen?
Dija është barrë e lehtë, nuk e rëndon kokën, por pse të ngarkohet koka me dijen që nuk e përdorë? Ne, në këtë plan, jemi të dalluar. Themi: e di, kam lexuar apo e kam dëgjuar. Por a e ke përdor? Dija dhe KUPTIMI i dijes e kanë një oqean në mes. Fjala është për dijen memorie (Sa vlera e librit!) dhe për dijen-përvojë (Sa vlera e jetës!). Ta mbajmë si vetullën mbi sy, këtë thënie: ”Më ruaj Zot nga dija e padobishme!”
Çka është vetëbesimi?
Energji. Ke vetëbesim, ke energji. Nuk ke vetëbesim, të mungon energjia. Këtu është vlera e fizikës kuantike. Pa energji nuk ka jetë. Po arrite të krijosh energjinë e duhur, TEJKALOHEN të gjitha pengesat në jetë: sëmundja, dashuria, mësimi, kreativiteti, rezultatet kulminante në sport, në art, në shkencë, që të GJITHA varen nga mençuria e krijimit të energjisë.
Energjia për njeriun është pikë për pikë sikur IMUNITETI për shëndetin.Cili është armiku më i madh i njeriut?
Vetë njeriu. Bimët dhe shtazët janë ESENCA të fikësuara. Aty ka përfunduar evolucioni. Nuk mund të ndryshojnë dhe gjithmonë do të jenë të tilla. Njeriu e ka LIRINË e madhe: nga shenjtëria në shëmti. Njeriu ndodhet mes dy gjendjeve: hyjnores dhe shtazores. Dhe i ka dy rrugë: progresin apo regresin, fitimin apo humbjen. Për çudi, njerëzimi ka krijuar mjetet e mëdha të humbjes: alkoolin, stimuluesit dhe drogat. Këto janë mjete të HARRIMIT, që atë ishull të vogël të vetëdijes e errërsojnë, e bëjnë natë dhe - problemet janë këtu! Përparimi dhe fitimi janë gjëra tjera: vetëdijesim dhe vetëm vetëdijesim.
Për magjinë flasin edhe hoxhallarët, sehirbazët, kurse ju e shpjegoni nga aspekti filozofik, njerëzor, shkencor dhe human, apo jo?
Unë flas nga aspekti shkencor. Mungesa e energjisë njeriun e bënë të dobët, të lëndueshëm, ose thjeshtë qyqar! Krijimi i energjisë e fuqizon njeriun, që këto shëmti jo vetëm të mos e lëndojnë, por t’i kthejë në burim. Njeriut që i mungon energjia, po t’ia prejë rrugën një mace, ai meket, ndërsa njeriun me energji të duhur nuk mund ta mposht askush.
Si të dalë njeriu nga ‘ferri i kësaj bote’?
Ferri dhe parajsa e kësaj bote - janë vetëm gjendje mentale. Shembull: i keni katër burimet kryesore të energjisë së njeriut: frymëmarrja, ushqimi, gjumi dhe gjendja MENTALE! Kur e keni gjendjen mentale pozitive, atëherë frymëmarrjen do ta keni të thellë dhe të plotë, ushqimin do ta keni të tretshëm dhe të shëndetshëm, gjumin do ta keni të qetë dhe relaksues, prandaj del se: kur CILËSIA e tri burimeve kryesore të energjisë varen nga gjendja mentale, edhe sa gjendje të tjera janë në varshmëri të plotë nga kjo gjendje? Në bazë të studimeve të mia njëzetvjeçare, me kompetencë mund të them se: gjendja mentale pozitive është themeli dhe kulmi i parajsës në tokë... Prandaj është thënë, se kjo mënyrë e të menduarit, e vërtetuar shkencërisht është ARDHMËRIA e njerëzimit.
Ju thoni se ai që krijon jeton edhe përtej vdekjes?
Trupi i secilit njeri, një ditë, do të ndryshojë gjendjen. Mbetën vetëm veprat.Çka janë mendimet pozitive?
Mendimet pozitive janë vetëm përdorim i polit pozitiv të energjisë ose: ecje nëpër binarin e gëzimit e dashurisë; larg frikës, urrejtjes, hidhërimit dhe, sidomos, larg dështimeve të përgjithshme. A i shihni krizat në jetën tonë? Krizë në edukimin e fëmijëve, krizë në dashuri, kriza në jetën martesore, divorce e dështime të tjera; kriza pronësore, kriza familjare... Pse? Sepse nuk dimë ta krijojmë energjinë që e bart jetën në polin pozitiv. Asgjë tjetër.
A ka dështime, aty ku ka mendime pozitive?
Po, mund të ketë dështime. Por, në këtë rast, dështimet do të jenë vetëm pushimore para fitoreve të reja. Asgjë tjetër.
A ka iluzione në këto që thoni?
Iluzionet janë vetëmashtrime. Këtu s’ka mashtrime. Bëhet fjalë vetëm për shkencë të pastër.
Po besëtytni?
Para syve të secilit qyqar (me nivel të ultë të energjisë) - shëmtitë në formën e besëtytnive të ndryshme hedhin valle. Para syve të guximtarit (me nivel të lartë të energjisë) besëtytnitë ia mbathin me të katrat.
Si e nxirrni më të mirën prej njerëzve?
Njohje e njeriut është kjo: asnjë njeri në botë nuk është krejt i mirë as krejt i keq! Njeriu është si Trepça: prej tij mund të nxjerrësh atë që do,gur e dhe, por edhe argjend e flori. Mirësia është çelësi universal që i hapë të gjitha dyert e botës. Nëse ju kujtohet “Princi i vogël” (libri më i mirë në botë për fëmijë), Dhelpëra i thotë Princit: “Unë jam dhelpër, egërsirë, por nëse më zbutë do të bëhem miku yt më i mirë në jetë!” A e shihni qenin? Kush e dreson qenin: dhuna apo mirësia! Kjo është formula ime për të komunikuar me njerëzit.Çdo rrugë tjetër prodhon vuajtje.
Me këtë mënyrë të të menduarit, a mund ta ndryshojmë gjendjen tonë politike, ekonomike dhe kulturore?
Unë do të thosha kështu: kjo mënyrë e të menduarit është E VETMJA MËNYRË që njihet deri më sot për ndryshimin e njeriut. Nesër, ndoshta do të gjenden mënyrë të tjera, dhe më të mira, por sot për sot – kjo është mënyra më e mirë në rruzullin tokësor që mundëson të kesh politikë të mirë, ekonomi të fortë, kulturë me vlerë, sport kulminant, me fjalë të tjera: komb e shtet me prestigj.
Pa ndryshuar njeriu, nuk ndryshon gjendja e tij. Me këtë mënyrë të jetës së deritashme do t’i kemi të gjitha ato dështime, vuajtje, tkurrje kombëtare, vrasje e dëbime, masakra e thyerje, turbulenca jetësore, dështime ekonomike, kulturore, sportive... Sepse:nuk kemi ditur dhe ende nuk kemi arritur ta gjejmë fajtorin dhe faktorin brenda vetes sonë, ai është aty dhe vetëm aty, por e kemi kërkuar diku tjetër, atje ku – nuk është. Në momentin që kthehemi me fytyrë kah vetvetja, aty do t’i kemi të gjitha përgjigjet, të gjitha zgjidhjet dhe të gjitha sukseset. Qysh thotë Ajnshtajni: nëse do të arrish diçka që nuk e ke pasur kurrë, duhet të punosh në mënyrën qysh nuk ke punuar kurrë.Në cilën fushë po punoni ju, konkretisht, për të ndihmuar proceset pozitive në shoqërinë tonë?
Unë nuk jam shtet. Jam individ. Individit i duhen 50 vjet për të bërë ndryshime në shoqëri, kurse shtetit i duhen vetëm 5 vjet. Në këtë shtet, si kudo në botë, qeveritë punojnë për reklamë, për vota. Vetëm qeveritë më të mira në botë investojnë për ndryshime afatgjata. Ato qeveri e duan popullin e vet, i duan fëmijët e vet, e duan ardhmërinë e vet.
Por, nga ajo që quhet shtet – në gjithë rajonin shqiptar – unë nuk pres asgjë. Prandaj duhet të bëjmë përpjkeje individuale. E kemi themeluar Institutin Amerikan të Suksesit (http:/institutiamerikanisuksesit.com) dhe, një ekip shumë serioz dhe i përgjgjshëm - është duke punuar aty. Ne e dimë se: një tonelatë dije teorike nuk është e barabartë me një gram punë praktike. Por jo punë praktike pa kokë! Ajo është një hiq! Por: zbatim praktik i dijes teorike.
Të gjithë ata që e duan veten e tyre, familjen e tyre, fëmijët e tyre, ata që e duan atdheun dhe ardhmërinë, i ftojë të regjistrohen në këtë Institut, sepse aty janë krijuar dhe do të krijohen kushtet (portali ende nuk është pasuruar sa duhet) për t’iu dhanë njerëzve një ndihmesë serioze për arritjen e të gjitha sukseseve kulminante në jetë.
Kjo le të jetë edhe ftesë publike për secilin individ: nëse doni ndryshimin, jetën cilësore, suksesin – regjistrohuni në këtë Institut.
Cili është mesazhi juaj sublim, në krejt këtë temë të Mendimit Pozitiv?
Nuk ka jetë pa vuajtje, nuk ka vuajtje pa shkak, por nuk ka shkak që nuk mund të tejkalohet. Për të gjallin kurrë nuk mbyllen dyert e jetës. Kërkoni ndihmë prej jetës dhe jeta do t’iu përgjigjet të gjitha kërkesave të sinqerta

No comments:

Post a Comment