Monday, June 24, 2013

Varfëria ekstreme në Kosovë




   
Çdo ditë kanë një vendtakim të njëjtë, të njëjtin qëllim. Ata mblidhen në skaj të rrugës tek ish “Fabrika e Tabetave” në Prishtinë për të pritur t’i marrë dikush në punë si punëtorë krahu. Edhe në temperaturat e larta, ku djerset kishin kapluar nga i nxehti ata prisnin skaj rruge me shpresë se do të dërgojnë diçka në fund të ditës në shtëpi.Milazim Hasani nga Fushë Kosova, i cili kujdeset edhe për 9 anëtarë të tjerë të familjes përfshirë edhe fëmijët e vëllait të tij, brenda javës 1 deri në 2 herë gjen punë.
Për punën që bën thotë se paguhet nga 10 deri në 15 euro në ditë ndërsa në disa firma të ndërtimit ankohet se ka ndodhur që nuk e kanë paguar fare, shkruan “Zëri”.
“Më shumë na marrin privat kur kanë për ta kryer ndonjë punë rreth shtëpisë, ndërsa këto firmat e ndërtimit kur na marrin nganjëherë një muaj punojmë e nuk na paguajnë”, tregon ai. Hasani nuk merr as ndihmë sociale ndërsa as nga qendra e punësimit nuk i ofrojnë punë.
“Jam paraqitur disa herë në Qendrën e Punësimit por asnjëherë nuk më kanë ofruar punë”, ka thënë ai.
Të njëjtin hall e ka edhe Nexhmi Krasniqi, i cili nga Lipjani vjen çdo ditë në Prishtinë për të kërkuar punë. “Është shumë e vështirë të jesh kryefamiljar dhe të mos kesh me çka t’i ushqesh. Jemi 6 anëtarë të familjes. Jam lajmëruar disa herë në Qendrën e Punësimit në Lipjan por nuk më kanë ofruar punë, edhe aty po shkon krejt me të njohshëm”, ka thënë ai.
Për krizën e madhe që ka kapluar Kosovën ka raportuar edhe Banka Botërore sipas së cilës varfëria ekstreme, e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me pesë dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.

No comments:

Post a Comment