Tuesday, June 25, 2013

Foli Guardiola, i nderuar dhe krenar te Bayerni

Bayerni Munich ka prezantuar, sot në mesditë, trajnerin e ri, Pepp Guardiola, i cili për herë të parë ka folur para gazetarëve si trajner i ri i skuadrës bavareze, e cila edicionin e kaluar e mbylli me kurorën e trefishtë. Më shumë se 200 gazetarë kanë qenë të pranishëm në prezantimin zyrtar të Guardiolës.

Ish-trajneri i Barcelonës iu drejtua gazetarëve në gjuhën gjermane, duke kërkuar paraprakisht falje që nuk arrin të shqiptojë mirë fjalët, por duke premtuar se në periudhën e ardhshme do ta flasë edhe më mirë gjermanishten.

“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur. Ju kërkoj ndjesë për një gjermanishte të dobët, por do të mundohem që në periudhën e ardhshme deri në fillim të edicionit të ri ta zotëroj sa më mirë gjuhën gjermane”, ka thënë Guardiola, transmeton RTK.

Duke folur për punën e tij të re, Guardiola nuk ka mundur t’i fshehë emocionet. “Jam i nderuar dhe krenar që Bayerni më zgjodhi mua si trajner. Dëshiroj t’i falënderoj drejtuesit e klubit që ma kanë ofruar rastin për ta drejtuar këtë skuadër”, ka theksuar Guardiola.

Duke komentuar mbi atë se çfarë e shtyri të marrë drejtimin e Bayernit, ish-timonieri i Barçës është shprehur: “Më tërhoqën futbollistët dhe historia e klubit. Bayerni të ofron një presion të madh, të cilin e ndjej edhe tash, e të cilin e kam ndje edhe te Barcelona. Po e marr drejtimin e një skuadre që ka pasur një edicion të jashtëzakonshëm, duke i fituar tre tituj. Qëllimi im është të fitojmë, të luajmë mirë dhe të vazhdojmë me suksese”, ka nënvizuar Guardiola.

No comments:

Post a Comment